Historiku i SHAPSH

AKT THEMELIMI I SHOQATES  “AVOKATET PENALISTE TE SHQIPERISE”

Në Tiranë sot më ___,____2009, në praninë time noterit ____________________, të Dhomës së Noterisë Tiranë, u paraqitën anëtarët themelues si me poshtë :

  1. Saimir Vishaj
  2. Sokol Mëngjesi
  3. Anxhelina Zhidro
  4. Kreshnik Tanku
  5. Dritan Trifka
  6. Erjon Xhepa
  7. Ilir Shuraja
  8. Ilir Sul Sharka
  9. Vitiona Dervishaj
  10. Vjera Markiqi
  11. Vjollca Pustina
  12. Vladimir Koti
  13. Ylli Kameri
  14. Zef Broci
  15. Zerina Milaimi

Të cilët vendosën të krijojnë Shoqatën “Avokatët Penalistë të Shqipërisë”.

Shoqata “Avokatët Penalistë të Shqipërisë” është një organizatë jo qeveritare dhe jo fitimprurëse.

Selia e Shoqatës ndodhet në Rrugën “Reshit Petrela”, përballë Gjykatës së Krimeve të Rënda, Tiranë.

Shoqata ka si synim kryesor përparimin dhe zhvillimin e shkencës penale si nga pikëpamja teorike ashtu edhe nga pikëpamja praktike. Shoqata me aktivitete e saj do të japë kontributin e saj maksimal për mbrojtjen e shumëanshme të të gjithë personave të implementuar në fonomenet penale si nga viktimat e trafikuara deri tek personat autorë të veprave penale duke garantuar mbrojtjen e të gjitha të drejtave legjitime që rrjedhin nga Kushtetuta, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të njohura e të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

Shoqata do të angazhohet për të dhënë ndihmesën e saj në përmirësimin e legjislacionit përkatës si dhe për ndihmesë në kuadrin e reformës në Drejtësi.

Shoqata do të shtijë aktivitetin e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Shoqata do të zhvillojë aktivitetet e veta për një periudhë kohore të pacaktuar.

Shoqata do të përfaqësohet në marrëdhëniet e saj me të tretët nga Kryetari, Sekretari i Përgjithshëm ose nga një anëtar tjetër i Këshillit Drejtues i autorizuar nga Kryetari i Shoqatës.

Organet drejtuese dhe administruese të Shoqatës janë : Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve dhe Këshilli Drejtues.

Anëtarët themelues të Shoqatës miratojnë unanimisht Statutin dhe Aktin e Themelimit.

Anëtarët e parë të Këshillit Drejtues të emëruar nga Mbledhja Themeluese janë :

Saimir Vishaj Kryetar i Këshillit Drejtues
Sokol Mëngjesi Anëtar i Këshillit Drejtues (Sekretar i Përgjithshëm)
Ilir Shuraja Nënkryetar i Këshillit Drejtues
Anxhelina Zhidro Anëtare e Këshillit Drejtues
Erjon Xhepa Anëtar i Këshillit Drejtues

Emërohet dhe autorizohet Kryetari i Shoqatës z. Saimir Vishaj dhe Sekretari i Përgjithshëm z. Sokol Mëngjesi, apo çdo person tjetër i autorizuar pre Kryetarit për të ndjekur proçedurat e nevojshme ligjore për regjistrimin e Shoqatës “ Avokatët Penalistë të Shqipërisë”, pranë Gjykatës së shkallës së parë në Tiranë, duke përgatitur, nënshkruar e paraqitur çdo dokument të nevojshëm për realizimin e këtij qëllimi.

Ky status u hartua ne 4 (katër) kopje në gjuhën shqipe dhe pasi u lexua me zë të lartë, u gjet ne përputhje të plotë me vullnetin e lirë të anëtarëve themelues, të cilët e nënshkruajnë atë në praninë time dhe unë noteri e vërtetoj këtë akt sipas ligjit.

ANETARET THEMELUES TE SHOQATES “PENALISTET E SHQIPERISE”

Tiranë më 24/07/2009

 

PROÇESVERBAL I MBLEDHJES THEMELUESE TE
SHOQATES
“AVOKATET PENALISTE TE SHQIPERISE”

 

 

Në Tiranë sot më datë 24/07/2009 u mblodhën anëtarët themelues të Shoqatës “Avokatët Penalistë të Shqipërisë” të cilët janë :

  1. Saimir Vishaj
  2. Sokol Mëngjesi
  3. Anxhelina Zhidro
  4. Kreshnik Tanku
  5. Dritan Trifka
  6. Erjon Xhepa
  7. Ilir Shuraja

Anëtarët themelues të Shoqatës “Avokatët Penalistë Shqipërisë” diskutuan rreth draft-statutit e miratuan atë në tërësi dhe së fundmi e firmosën atë.

Anëtarët themelues të Shoqatës “Avokatët Penalistë të Shqipërisë” firmosën Aktin e Themelimit të kësaj Shoqate.

Anëtarët themelues të Shoqatës “Avokatët Penalistë të Shqipërisë” miratuan një zëri Këshillin e parë Drejtues të përbërë nga :

Saimir Vishaj           Kryetar i Këshillit Drejtues
Sokol Mëngjesi           Anëtar i Këshillit Drejtues (Sekretar i Përgjithshëm)
Ilir Shuraja           Nënkryetar i Këshillit Drejtues
Anxhelina Zhidro           Anëtare e Këshillit Drejtues
Erjon Xhepa           Anëtar i Këshillit Drejtues

Anëtarët themelues të Shoqatës emëruan dhe autorizuan Kryetarin e Shoqatës z. Saimir Vishaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm z. Sokol Mëngjesi të ndjekin proçedurat e nevojshme ligjore për regjistrimin e Shoqatës “Avokatët Penalistë të Shqipërisë”, pranë Gjykatës së shkallës së parë në Tiranë, duke përgatitur, nënshkruar e paraqitur çdo dokument të nevojshëm për realizimin e këtij qëllimi.

Së fundmi anëtarët themelues të kësaj shoqate u angazhuan se do të bashkëpunojnë me vendosmëri për të realizuar të gjitha qëllimet dhe objektivat e kësaj Shoqate duke kontribuar maksimalisht në këtë iniciativë të përbashkët.

PJESEMARRESIT NE MBLEDHJEN E PARE THEMELUESE

TE SHOQATES

“AVOKATET PENALISTE TE SHQIPERISE”

PROGRAMI
I
SHOQATES
“AVOKATET PENALISTE TE SHQIPERISE”

 

Qëllimet e Shoqatës “Avokatët Penalistë të Shqipërisë” konsistojnë në :

  1. Zhvillimin e shkencës penale, 
  2. Dhënien e kontributit për përmirsimin e kuadrit ligjor përkatës,
  3. Koordinimi i punës me Ministrinë e Drejtësisë si dhe Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, për dhënie mendimi në kuadrin e përgatitjes së projekt-ligjeve me karakter penal si dhe për përgatitjen e projekt-ligjeve që kanë si synim të plotësojnë, modifikojnë apo rregullojnë Kodin Penal dhe Kodin e Proçedurës Penale të Republikës së Shqipërisë,
  4. Bashkëveprimi dhe bashkëpunimi me Presidentin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me “institutin e faljes”, duke shprehur mendimin në lidhje me veprat penale dhe kategoritë që përfshihen në falje,
  5. Sigurimi i pjesëmarrjes së Shoqatës me rolin e “Vëzhguesit” pranë Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Drejtësisë, KLD-së dhe në Këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme,
  6. Sigurimi i pjesëmarrjes së Shoqatës me rolin e “Vëzhguesit” gjatë proçedurës së hedhjes së shortit për përcaktimin e Trupit Gjykues në çështjet penale për garantimin e një proçedure sa më transparente,
  7. Dhënien e kontributit në kuadrin e reformës në Drejtësi,
  8. Rritjen e nivelit shkencor dhe profesional të anëtarëve të saj,
  9. Mbrojtjen e shoqërisë nga fenomeni penal përmes sygjerimit të politikave sa më efikase anti-kriminale,
  10. Garantimin e të drejtave themelore kushtetuese të personave që shkelin ligjin penal në të gjitha etapat e proçedimit penal deri në riientegrimin e plotë social të këtyre personave,
  11. Ndalimin e torturës fizike dhe psikike në ambjentet e Policisë, Paraburgimit dhe Burgjeve,
  12. Ndalimin e dhënies së masës së sigurimit “arrest në burg” veçanërisht për të miturit nga 14-18 vjeç dhe mbrojtja e tyre,
  13. Mbrojtja e grave dhe femrave viktima të dhunës në familje si dhe garantimi i të drejtave për këtë kategori,
  14. Mbrojtja e të drejtave të femrave të paraburgosura dhe garantimi i të drejtave si të gjithë të paraburgosurit e tjerë (meshkuj),
  15. Garantimi dhe barazimi i të drejtave të grave të burgosura (veçanërisht garantimi i takimeve me fëmijët, bashkëshortët, prindërit dhe takimet speciale),
  16. Dhënie ndihme dhe asistence juridike falas dhe jo formale në të tria shkallët e gjykimit duke garantuar mbrojtje ligjore dhe jo formale FALAS për kategori të caktuara personash, autorë të veprave penale (të mitur, persona në pamundësi ekonomike për të përballuar shpenzimet e shërbimeve të avokatisë, viktimave të trafikuara etj.),
  17. Mbrojtja e të drejtave të të ndaluarve, arrestuarve, të paraburgosurve dhe të burgosurve, si dhe bashkëpunimi i ngushtë me Institucionin e Avokatit të Popullit në lidhje me trajtimin e kësaj kategorie të veçantë personash,
  18. Mbrojtja, respektimi dhe garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të parashikuara në Kushtetutë, ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara me ligj,
  19. Garantimi i avokatëve për shtetasit shqipëtarë autorë të veprave penale në shtete fqinje (Itali, Greqi etj.) duke i ofruar asistencë ligjore edhe në gjuhën shqipe gjatë të gjithë etapave të procesit penal,
  20. Përfaqësimi i autorëve të veprave penale në Gjykatat Ndërkombëtare për garantimin e plotë të të drejtave themelore kushtetuese dhe të të drejtave të parashikuara nga konventat ndërkombëtare të njohura dhe të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë,
  21. Zhvillimi i seminareve të vazhdueshme me shërbimin e provës si partnere në reabilitimin e të dënuarve,
  22. Garancia si Shoqatë në dhënien e lejeve të të dënuarve,
  23. Rishikimin e vendimeve penale duke vënë në vend “Drejtësinë e Mohuar”,
  24. Lufta kundër “Drejtësisë së vonuar” e cila me të drejtë knsiderohet “Drejtësi e Mohuar”.

Për arritjen e këtyre qëllimeve, objektivat kryesore të kësaj Shoqate janë:

  1. Organizimi i takimeve, seminareve, tavolinave të rrumbullakëta, konsulencave, debateve profesionale, simpoziumeve dhe manifestimeve të tjera me karakter shkencor në kuadrin e të drejtës penale,
  2. Ngritja e një infrastrukture bashkëkohore me salla dhe ambjente të tjera për realizimin e takimeve, kontakteve dhe aktiviteteve të tjera me karakter shkencor,
  3. Ngritja e një biblioteke të pasur me literaturë në gjuhën shqipe dhe të huaj,
  4. Ofrimi i asistencës për avokatët e rinj dhe studentët e sapodiplomuar të Fakulteteve Juridike brenda dhe jashtë vendit për përshtetjen e tyre në praktikat e avokatisë si dhe azhornimin e studentëve të diplomuar jashtë me legjislacionin penal të Republikës së Shqipërisë,
  5. Nxitja dhe dhënia e asistencës për shkrimin dhe botimin e studimeve, monografive dhe artikujve me karakter shkencor nga anëtarët e shoqatës në revistat përkatëse vendase dhe të huaja,
  6. Akordimi i bursave për trajnime dhe specializime pasuniversitare brenda dhe jashtë vendit për anëtarët e Shoqatës,
  7. Binjakëzimi me shoqata dhe organizata të huaja me të njëjtat karaktere dhe objektiva,
  8. Koordinimi dhe bashkëpunimi me shoqata dhe organizata jofitimprurëse brenda dhe jashtë vendit të cilat kanë si objekt mbrojtjen e të drejtave të njeriut,
  9. Propozimi dhe sygjerimi gjatë proceseve të hartimit të legjislacionit përkatës duke patur parasysh problemet që lindin në praktikë gjatë zbatimit të legjislacionit penal,
  10. Koordinimi i punës dhe bashkpunimi i ndërsjelltë me instutucionet shtetërore në kuadrin e reformës në Drejtësi,
  11. Propozimi dhe sygjerimi i politikave sa më efikase anti-kriminale,
  12. Propozimi dhe sygjerimi i dënimeve alternative,
  13. Organizimi i takimeve me të burgosur dhe ofrimi i asistencës ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre,
  14. Garantimi dhe zbatimi i programeve të standarteve europiane për të burgosurit,
  15. Sigurimi i mbështetjes nga autoritet publike për realizimin e objektivave dhe qëllimeve të Shoqatës,
  16. Organizimi dhe krijimi i një buletini të pavarur për botimin e shkrimeve shkencore me karakter penal,
  17. Organizimi i degëve në rrethe të tjera,
  18. Akumulimi dhe përdorimi i burimeve financiare si dhe i donacioneve, sponsorizimeve e kontributeve, brenda kuadrit ligjor,
  19. Bashkëpunimi dhe partneriteti me organizmat e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor në kuadrin e realizimit të qëllimeve dhe objektivave të tjera të statutit.

 

Në kuadër të arritjes së qëllimeve dhe realizimit të objektivave, Shoqata përdor pasurinë e vet, realizon proçedura dhe ndërrmer veprime, brenda kuadrit ligjor, nëpërmjet të cilave :

  1. Drejton programe/projekte dhe administron fonde ndihmëse të parikthyeshme;
  2. Zhvillon aktivitete dhe organizon kurse afatshkurtra e afatgjata, seminare, tavolina të rrumbullakta, konferenca dhe kongrese;
  3. Jep donacione, sponsorizon dhe akordon bursa, kontribute, çmime, diploma, medalje, tituj nderi si dhe të tjera të ngjashme;
  4. Aderon në organizma e organizata të cilat kanë si qëllim përparimin dhe zhvillimin e shkencës penale;
  5. Mbledh dhe përdor burime financiare e pasurore si dhe realizon të ardhura, brenda  kuadrit ligjor.