Rreth Nesh

Shoqata Avokatët Penalistë të Shqipërisë (SHAPSH ) është një organizatë jo fitimprurëse shqiptare. Misioni i saj është të avokojë dhe të kontribuojë në respektimin e të drejtave të njeriut dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe proceset e demokratizimit të vendit tonë, në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin ndërkombëtar të ratifikuar në Republikën e Shqipërisë.

Disa nga ndërhyrjet dhe aktivitetet kryesore SHAPSH janë lobimi dhe avokacia aktive, së bashku me aktorë të tjerë të shoqërisë civile dhe organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, për të përmbushur standardet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, për të sensibilizuar dhe rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë dhe të të gjithë aktorëve relevant për të drejtat dhe liritë e tyre, për të ndihmuar në zbatimin e ligjeve nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të aktorëve të ndryshëm të drejtësisë; të përgatisë raporte studimore mbi zbatimin e të drejtave të njeriut në Shqipër , dhe të ofrojë oponencë ligjore dhe ekspertizë për përmirësimin e legjislacionit dhe zbatimin e tij në praktikë, si dhe harmonizimi me acquis communautaire.

Në përmbushje të misionit dhe qëllimeve tona, ne kemi gjithashtu ekspertizë  shumë të mirë aktorë të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, me përvojë të gjatë, si dhe një persoenl të mirë trajnuar dhe të përkushtuar. SHAPSH ka bashkëpunime të qëndrueshme me Shkollën e Magjistraturës, me OSBE-në Avokatin e Popullit, Shoqatën e Prokurorëve, Shoqatën e Gjyqtarëve dhe organizatat tjera të shoqërisë civile që punojnë në këtë fushë. Gjatë këtyre viteve, shoqata jonë ka bashkëpunuar me Dhomën Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë, Odën e Avokatëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe një sërë bashkëpunimesh me diasporën shqiptare, duke nxitur kështu një bashkëpunim rajonal më të gjerë.

Të nderuar zonja dhe zoterinj, miq dhe të ftuar, anëtarë themelues të Shoqatës “Avokatët Penalistë të Shqipërisë”!

Ju shprehim konsideratën tonë më të thellë për pjesëmarrjen tuaj në prezantimin e Shoqatës “Avokatët Penalistë të Shqipërisë”.

Shoqata “Avokatët Penalistë të Shqipërisë” ka qënë shprehje e vullnetit të avokatëve penalistë për tu mbledhur dhe organizuar institucionalisht me qëllim përparimin e shkencës penale duke pasur parasysh problemet që lindin në praktikë gjatë zbatimit të kësaj shkence aq të bukur në teori dhe po kaq të vështirë, të dhimbshme dhe shpeshherë dramatike në zbatimin e saj praktik. Vetë fenomeni penal i krijon këto probleme që në momentin e shfaqjes së tij parë ateherë kur mendimi kriminal mishërohet ne një veprim apo mosveprim kriminal të dëmshëm për shoqërinë duke prekur benifitet juridike që legjislatori i ka fortifikuar me forcën e ligjit duke parashikuar dënime të rrepta, në shumicën e rasteve me privim të lirisë personale. Askush nuk e dëshiron fenomenin penal në shoqërinë ku jeton por dihet që kjo është utopike dhe pothuajse e parealizueshme. Gabimi njerëzor dhe faji e kanë historikun e tyre aq sa vetë ekzistenca e njeriut në tokë dhe do të vazhdojnë te ekzistojnë po aq sa do të ketë jetë në tokë. Njeriu epiqëndra e shkencës penale është një qënie komplekse në shumë raste rob i fatit të vet, për këtë arsye dhe përgjegjës i gabimeve të veta. Gjithkush mund të jetë i ulur në bankën e të akuzuarve dhe atëherë e kupton sa ka nevojë për drejtësi, trajtim njerëzor dhe human. Mes debatesh profesionale, konstruktive ku herë jemi pajtuar dhe herë jo morrëm inisiativën për të krijuar këtë shoqatë për të qënë një barrierë e hekurt ndaj çdo padrejtësie për të mbrojtur të drejtat themelore dhe kushtetuese të autorëve të veprave penale. Ata duhet ta ndjejnë veten të barabartë në këtë shoqëri të jenë të gatshëm të riintegrohen pas shpagimit të gabimit të tyre dhe mbi të gjitha tu privohet vetëm liria dhe kurrë mos tu privohen e drejta për një trajtim njerëzor dhe dinjitoz. Fatkeqësisht realiteti është më i hidhur se kaq, gabime bëhen në çdo hap dhe etapë të proçesit penal. Edhe profesionalizmi i njerëzve që implementohen në këto proçedura shpesh gjynjëzohet përpara padrejtësive që kthehen në drama njerëzore.

Përpara këtij realiteti ndjehej e nevojshme një organizim i tillë ku avokati të marri rolin e merituar profesional, mbështetjen e duhur institucionale, atë mbështetje që e kanë nevojë të gjithë avokatët por fatkeqësisht deri më sot nuk e kanë gjetur në organizmat ku kanë aderuar.

Duke mos dashur të zgjatemi më tepër ju falenderoj edhe njëherë për pjesëmarrjen për mbështetjen morale që na keni dhënë me prezencën tuaj dhe i bëjmë thirrje gjithë opinionit publik Larg avokatit sekser pro të drejtës dhe profesionalizmit në këtë detyrë fisnike dhe të vështirë. Besojmë dhe shpresojmë se idetë dhe qëllimet tona sdo ngelen thjesht një program por të kthehet në realitet në sajë të vullnetit, angazhimit maksimal dhe mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet shtetërore.

STATUTI I SHOQATES “AVOKATET PENALISTE TE SHQIPERISE”

I. DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 1

  • 1.1 Shoqata “Avokatët Penalistë të Shqipërisë” është shprehje e vullnetit të Penalistëve të Shqipërisë, për t’u mbledhur dhe  organizuar institucionalisht, me qëllim për të kontribuar në përparimin dhe zhvillimin e shkencës penale.
  • 1.2 Anëtarët themelues të kësaj shoqate të vetëdijshëm dhe koshient për rëndësinë e shkencës penale dhe veçanërisht koshient për rëndësinë akoma edhe më të madhe që ka kjo shkencë në zbatimin e saj praktik, vendosën krijimin e kësaj shoqate me objektivin kryesor, balancimin sa më të drejtë dhe të saktë të dy komponentëve bazë të shkencës penale (mbrojtja e shoqërisë nga fenomeni penal nga njëra anë dhe trajtimi njerëzor dhe sa më dinjitoz i personave që shkelin ligjin penal nga ana tjetër, duke u përpjekur që të  garantohen dhe të mbrohen të gjitha të drejtat e tyre legjitime duke nisur që nga momenti i shoqërimit, ndalimit, arrestimit ashtu edhe gjatë hetimit, gjykimit, vuajtjes së dënimit si dhe periudhës pas vuajtjes së dënimit deri në riintegrimin e plotë social të këtyre personave).    
  • 1.3 Shoqata “Avokatët Penalistë të Shqipërisë” është një organizatë jo qeveritare, jo fitimprurëse, me personalitet juridik.

Neni 2

  • 2.1 Adresa e Shoqatës “Avokatët Penalistë të Shqipërisë” është: Rruga “Reshit Petrela”, përballë Gjykatës së Krimeve të Rënda, Tiranë.
  • 2.2 Shoqata mund të krijojë degë me personalitet juridik.
  • 2.3 Shoqata “Avokatët Penalistë të Shqipërisë” do të shtrijë aktivitetin e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. 
  • 2.4 Shoqata “Avokatët Penalistë të Shqipërisë” do të kryejë veprimtarinë e saj për një periudhë të pakufizuar kohe.  

Neni 3

  • 3.1 Emërtimi zyrtar i Shoqatës është : “Avokatët Penalistë të Shqipërisë”.
  • 3.2 Shoqata “Avokatët Penalistë të Shqipërisë” ka vulën, siglën dhe simbolin e vet.

 

II. QELLIMET DHE OBJEKTIVAT E SHOQATES 

Neni 4

  • 4.1 Qëllimet e Shoqatës “Avokatët Penalistë të Shqipërisë” konsistojnë në :
  1. Zhvillimin e shkencës penale,  
  2. Dhënien e kontributit për përmirsimin e kuadrit ligjor përkatës,
  3. Koordinimi i punës me Ministrinë e Drejtësisë si dhe Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, për dhënie mendimi në kuadrin e përgatitjes së projekt-ligjeve me karakter penal si dhe për përgatitjen e projekt-ligjeve që kanë si synim të plotësojnë, modifikojnë apo rregullojnë Kodin Penal dhe Kodin e Proçedurës Penale të Republikës së Shqipërisë,
  4. Bashkëveprimi dhe bashkëpunimi me Presidentin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me “institutin e faljes”, duke shprehur mendimin në lidhje me veprat penale dhe kategoritë që përfshihen në falje,
  5. Sigurimi i pjesëmarrjes së Shoqatës me rolin e “Vëzhguesit” pranë Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Drejtësisë, KLD-së dhe në Këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme,
  6. Sigurimi i pjesëmarrjes së Shoqatës me rolin e “Vëzhguesit” gjatë proçedurës së hedhjes së shortit për përcaktimin e Trupit Gjykues në çështjet penale për garantimin e një proçedure sa më transparente,
  7. Dhënien e kontributit në kuadrin e reformës në Drejtësi,
  8. Rritjen e nivelit shkencor dhe profesional të anëtarëve të saj,
  9. Mbrojtjen e shoqërisë nga fenomeni penal përmes sygjerimit të politikave sa më efikase anti-kriminale,
  10. Garantimin e të drejtave themelore kushtetuese të personave që shkelin ligjin penal në të gjitha etapat e proçedimit penal deri në riientegrimin e plotë social të këtyre personave,
  11. Ndalimin e torturës fizike dhe psikike në ambjentet e Policisë, Paraburgimit dhe Burgjeve,
  12. Ndalimin e dhënies së masës së sigurimit “arrest në burg” veçanërisht për të miturit nga 14-18 vjeç dhe mbrojtja e tyre,
  13. Mbrojtja e grave dhe femrave viktima të dhunës në familje si dhe garantimi i të drejtave për këtë kategori,
  14. Mbrojtja e të drejtave të femrave të paraburgosura dhe garantimi i të drejtave si të gjithë të paraburgosurit e tjerë (meshkuj),
  15. Garantimi dhe barazimi i të drejtave të grave të burgosura (veçanërisht garantimi i takimeve me fëmijët, bashkëshortët, prindërit dhe takimet speciale),
  16. Dhënie ndihme dhe asistence juridike falas dhe jo formale në të tria shkallët e gjykimit duke garantuar mbrojtje ligjore dhe jo formale FALAS për kategori të caktuara personash, autorë të veprave penale (të mitur, persona në pamundësi ekonomike për të përballuar shpenzimet e shërbimeve të avokatisë, viktimave të trafikuara etj.),
  17. Mbrojtja e të drejtave të të ndaluarve, arrestuarve, të paraburgosurve dhe të burgosurve, si dhe bashkëpunimi i ngushtë me Institucionin e Avokatit të Popullit në lidhje me trajtimin e kësaj kategorie të veçantë personash,
  18. Mbrojtja, respektimi dhe garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të parashikuara në Kushtetutë, ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara me ligj,
  19. Garantimi i avokatëve për shtetasit shqipëtarë autorë të veprave penale në shtete fqinje (Itali, Greqi etj.) duke i ofruar asistencë ligjore edhe në gjuhën shqipe gjatë të gjithë etapave të procesit penal,
  20. Përfaqësimi i autorëve të veprave penale në Gjykatat Ndërkombëtare për garantimin e plotë të të drejtave themelore kushtetuese dhe të të drejtave të parashikuara nga konventat ndërkombëtare të njohura dhe të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë,
  21. Zhvillimi i seminareve të vazhdueshme me shërbimin e provës si partnere në reabilitimin e të dënuarve,
  22. Garancia si Shoqatë në dhënien e lejeve të të dënuarve,
  23. Rishikimin e vendimeve penale duke vënë në vend “Drejtësinë e Mohuar”,
  24. Lufta kundër “Drejtësisë së vonuar” e cila me të drejtë knsiderohet “Drejtësi e Mohuar”.
  • 4.2 Qëllimet e Shoqatës “Avokatët Penalistë të Shqipërisë” do të zhvillohen në nivel lokal, rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Neni 5

  • 5.1 Për arritjen e këtyre qëllimeve, objektivat kryesore të kësaj Shoqate janë:
  1. ​Organizimi i takimeve, seminareve, tavolinave të rrumbullakëta, konsulencave, debateve profesionale, simpoziumeve dhe manifestimeve të tjera me karakter shkencor në kuadrin e të drejtës penale,
  2. Ngritja e një infrastrukture bashkëkohore me salla dhe ambjente të tjera për realizimin e takimeve, kontakteve dhe aktiviteteve të tjera me karakter shkencor,
  3. Ngritja e një biblioteke të pasur me literaturë në gjuhën shqipe dhe të huaj,
  4. Ofrimi i asistencës për avokatët e rinj dhe studentët e sapodiplomuar të Fakulteteve Juridike brenda dhe jashtë vendit për përshtetjen e tyre në praktikat e avokatisë si dhe azhornimin e studentëve të diplomuar jashtë me legjislacionin penal të Republikës së Shqipërisë,
  5. Nxitja dhe dhënia e asistencës për shkrimin dhe botimin e studimeve, monografive dhe artikujve me karakter shkencor nga anëtarët e shoqatës në revistat përkatëse vendase dhe të huaja,
  6. Akordimi i bursave për trajnime dhe specializime pasuniversitare brenda dhe jashtë vendit për anëtarët e Shoqatës,
  7. Binjakëzimi me shoqata dhe organizata të huaja me të njëjtat karaktere dhe objektiva,
  8. Koordinimi dhe bashkëpunimi me shoqata dhe organizata jofitimprurëse brenda dhe jashtë vendit të cilat kanë si objekt mbrojtjen e të drejtave të njeriut,
  9. Propozimi dhe sygjerimi gjatë proceseve të hartimit të legjislacionit përkatës duke patur parasysh problemet që lindin në praktikë gjatë zbatimit të legjislacionit penal,
  10. Koordinimi i punës dhe bashkpunimi i ndërsjelltë me instutucionet shtetërore në kuadrin e reformës në Drejtësi,
  11. Propozimi dhe sygjerimi i politikave sa më efikase anti-kriminale,
  12. Propozimi dhe sygjerimi i dënimeve alternative,
  13. Organizimi i takimeve me të burgosur dhe ofrimi i asistencës ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre,
  14. Garantimi dhe zbatimi i programeve të standarteve europiane për të burgosurit,
  15. Sigurimi i mbështetjes nga autoritet publike për realizimin e objektivave dhe qëllimeve të Shoqatës,
  16. Organizimi dhe krijimi i një buletini të pavarur për botimin e shkrimeve shkencore me karakter penal,
  17. Organizimi i degëve në rrethe të tjera,
  18. Akumulimi dhe përdorimi i burimeve financiare si dhe i donacioneve, sponsorizimeve e kontributeve, brenda kuadrit ligjor,
  19. Bashkëpunimi dhe partneriteti me organizmat e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor në kuadrin e realizimit të qëllimeve dhe objektivave të tjera të statutit.
  • 5.2 Në kuadër të arritjes së qëllimeve dhe realizimit të objektivave, Shoqata përdor pasurinë e vet, realizon proçedura dhe ndërrmer veprime, brenda kuadrit ligjor, nëpërmjet të cilave :
    i) drejton programe/projekte dhe administron fonde ndihmëse të parikthyeshme;
    ii) zhvillon aktivitete dhe organizon kurse afatshkurtra e afatgjata, seminare, tavolina të rrumbullakta, konferenca dhe kongrese;
    iii) jep donacione, sponsorizon dhe akordon bursa, kontribute, çmime, diploma, medalje, tituj nderi si dhe të tjera të ngjashme;
    iv) aderon në organizma e organizata të cilat kanë si qëllim përparimin dhe zhvillimin e shkencës penale;
    v) Mbledh dhe përdor burime financiare e pasurore si dhe realizon të ardhura, brenda  kuadrit ligjor.

 

III. ANTARESIMI

Neni 6

  • 6.1 Anëtar i Shoqatës mund të jetë çdo person i cili ka mbaruar arsimin e lartë dega Juridik, përmbush një nga kriteret e pranimit dhe pranon statutin e Shoqatës në të gjithë përmbajtjen e tij.
  • 6.2 Mund të jenë anëtarë të Shoqatës të gjithë personat që kanë mbaruar arsimin e lartë dega Juridik brenda ose jashtë vendit dhe janë të profilizuar ose synojnë të profilizohen si avokatë apo teoricentë në të drejtën penale (asistent avokatë, avokatë, gjyqtar, prokurorë).
  • 6.3 Anëtarët e Shoqatës janë të detyruar të respektojnë statutin, si dhe çdo vendim të organeve të saj, të marrë si para ashtu dhe pas antarësimit në këtë Shoqatë.
  • 6.4 Anëtarët e Shoqatës japin kontributin e tyre për krijimin dhe rritjen e pasurisë së Shoqatës, duke paguar kuotën e përcaktuar ose duke dhënë kontribute në natyrë si dhe/ose në para.

Neni 7

  • 7.1 Anëtarësimi në Shoqatë miratohet nga Këshilli Drejtues pasi bëhet kërkesë nga i interesuari.
  • 7.2 Anëtarësia nuk është e tjetërsueshme.

Neni 8

  • 8.1 Anëtarë themelues të Shoqatës janë:
    Anëtarët të cilët kanë shprehur dëshirën për t’u organizuar në Shoqatë, kanë firmosur Aktin e Themelimit si dhe kanë kontribuar në natyrë dhe/ose në para për krijimin e pasurisë fillestare të Shoqatës.
  • 8.2  Anëtarë të thjeshtë të Shoqatës janë :
    Anëtarët të cilët kanë shprehur dëshirën për t’u bashkuar në Shoqatë pas themelimit të saj, si dhe të cilët kanë marrë konfirmimin e antarësimit nga Këshilli Drejtues në bazë të kritereve të parashikuara prej statutit dhe Asamblesë së Përgjithshme.
  • 8.3 Personat fizikë ose juridikë të cilët duan të përkrahin e të mbështesin qëllimet e objektivat e Shoqatës, brenda kuadrit ligjor, mund të përfitojnë cilësinë si përkrahës të Shoqatës duke patur edhe miratimin e Këshillit Drejtues.

Neni 9

  • 9.1 Titulli anëtar nderi i Shoqatës mund t’i akordohet, nga Asambleja e Përgjithshme, personave fizikë të mirënjohur si personalitete të jetës sociale, politike, ekonomike, shkencore dhe kulturore në vend dhe jashtë shtetit, të cilët nëpërmjet aktivitetit të tyre mbështesin qëllimet dhe objektivat e Shoqatës.  
  • 9.2 Anëtarët e nderit nuk paguajnë kuota dhe mund të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme por pa të drejtë vote dhe pa të drejtë zgjedhjeje në organet drejtuese dhe administruese të Shoqatës.
  • 9.3 Anëtarët e Shoqatës mund të përfitojnë tituj nderi duke ruajtur njëkohësisht edhe të drejtat e përfituara nga statuti.

Neni 10

  • 10.1 Anëtarët e Shoqatës kanë të drejtë :
    a) të zgjedhin e të zgjidhen, direkt ose me përfaqësues, sipas rastit, në organet drejtuese dhe administruese të Shoqatës, me përjashtim të rasteve të parashikuara në statut;
    b) të marrin pjesë në aktivitetet Shoqatës;
    c) të bëjnë propozime, të kontrollojnë financat e organizatës si dhe proçesverbalet e organeve drejtuese të Shoqatës;
    d) të përfitojnë ulje nga taksat dhe tarifat e praktikuara në disa shërbime që ofrohen nga Shoqata.
  • 10.2 Përkrahësit e Shoqatës mund të marrin pjesë në aktivitetet e Shoqatës por pa të drejtë vote.

Neni 11

  • Anëtarët e Shoqatës kanë detyrimet e mëposhtme :
    a) të respektojnë statutin si dhe vendimet e organeve drejtuese e administrative të Shoqatës;
    b) të veprojnë për rritjen e prestigjit të Shoqatës;
    c) të paguajnë kuotat e përcaktuara;
    d) të mosndërmarrin veprime të cilat për nga natyra e tyre mund të dëmtojnë qëllimet dhe interesat e Shoqatës.

Neni 12

  • Cilësia si anëtar ose përkrahës i Shoqatës si dhe e titullit honorifik humbasin në rastet e mëposhtme : 
    a) me kërkesë, të depozituar te kryetari i Këshillit Drejtues, të paktën para 15 ditësh;
    b) si pasojë e humbjes së të drejtave civile ose e vdekjes;
    c) në rastet e mëposhtme :
           -demtim moral dhe material të Shoqatës,
           -pjesëmarrje në aktivitete të cilat vijnë në kundërshtim me statutin dhe vendimet e organeve drejtuese dhe administruese të Shoqatës,
           -dënim për vepra penale të cilat e bëjnë të papranueshme cilësinë e anëtarit, përkrahësit të Shoqatës ose anëtarit të nderit.
    d) tërheqja e mandatit në të njëjtat kushte që është dhënë në rastin kur i deleguari nuk respekton kufijtë e mandatit.

Neni 13

  • 13.1 Përjashtimi dhe pezullimi shqyrtohet në Këshillin Drejtues dhe i komunikohet me shkrim të interesuarit brenda 7 ditësh nga dita e vendimarrjes.
  • 13.2 Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim me shkrim brenda 15 ditëve nga dita e komunikimit.
  • 13.3 Përjashtimi dhe pezullimi aprovohen sipas rastit nga Këshilli Drejtues.
  • 13.4 Vendimet e Këshillit Drejtues  janë të formës së prerë.
  • 13.5 Humbja e cilësisë së anëtarit të Shoqatës nuk jep të drejtën për pretendime mbi kontributetet e dhëna respektivisht mbi pasurinë e Shoqatës.

 

IV. DREJTIMI DHE ADMINISTRIMI

Neni 14

  • Organet e Shoqatës janë :
    a) Asambleja e Përgjithshme dhe
    b) Këshilli Drejtues

Neni 15

  • 15.1 Organi drejtues i Shoqatës është Asambleja e Përgjithshme.
  • 15.2 Asambleja e Përgjithshme organizohet mbi bazën e principit territorial, duke garantuar përfaqësimin e të gjithë anëtarëve të Shoqatës në degët lokale.
  • 15.3 Asambleja e Përgjithshme përbëhet nga tërësia e delegatëve të zgjedhur në kushtet e parashikuara në statut. Në Asamblenë e Përgjithshme marrin pjesë edhe anëtarët e Këshillit Drejtues.
  • 15.4 Delegatët zgjidhen nga anëtarët e Shoqatës në mbledhjet e degëve për një periudhë kohore prej katër vjetësh, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenin 12 pika d.
  • 15.5 Numri i delegatëve është proporcional me numrin e anëtarëve ekzistues të regjistruar në fundin e vitit kalendarik.
  • 15.6 Për çdo 10 anëtarë zgjidhet 1 delegat.

Neni 16

  • 16.1 Si rregull Asambleja e Përgjithshme mblidhet një herë në vit. Në rast se paraqitet nevoja për shqyrtimin e çështjeve me rëndësi të veçantë, Asambleja mund të thërritet në mbledhje të jashtëzakonshme. Mbledhjet e rregullta të Asamblesë së Përgjithshme thërriten nga kryetari i Këshillit Drejtues duke bërë një njoftim me shkrim ose duke publikuar lajmin e mbledhjes në një gazetë me tirazh të madhë të paktën 20 ditë para. Lajmërimi duhet të përmbajë ditën, orën dhe vendin ku do të mbahet mbledhja si dhe rendin e ditës.
  • 16.2 Mbledhjet e jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme thërriten të paktën 7 ditë përpara me inisiativen e kryetarit të Këshillit Drejtues, ½ +1 të anëtarëve të Këshillit Drejtues ose nga 1/3 e numrit të delegatëve.

Neni 17

  • 17.1 Mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme janë të vlefshme kur në to ndodhen të pranishëm ½ +1 e numrit të delegatëve. Në rast se me thirrjen e parë nuk sigurohet kjo pjesëmarrje caktohet një datë tjetër brenda 7 ditëve dhe në këtë rast Asambleja e Përgjithshme është e vlefshme kur ndodhen të pranishëm të paktën 1/4 e numrit të delegatëve.
  • 17.2 Mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme drejtohen nga kryetari i Këshillit Drejtues ose në mungesë te tij nga njëri prej nënkryetarëve. Bisedimet dhe vendimet regjistrohen në një regjistër të veçantë nga sekretariati i autorizuar nga Asambleja e Përgjithshme dhe çertifikohen me firmën e kryetarit dhe të dy delegatëve të autorizuar nga delegatët e tjerë. Në mungesë të kryetarit firmos njëri prej nënkryetarëve.
  • 17.3 Të gjithë anëtarët e Shoqatës kanë të drejtën të përfaqësohen në Asamblenë e Përgjithshme me delegatë. Çdo delegat ka të drejtën e një vote të vetme. E drejta e votës ushtrohet në Asamblenë e Përgjithshme vetëm nga delegatët dhe pjesëmarrësit legjitim.

Neni 18

  • Mandati i përfaqësimit i jepet të deleguarve në këto kushte:
    a) mandati i delegatëve përfaqësues në Asamblenë e Përgjithshme legjitimohet nga mbledhjet e degëve nëpër rrethe ku zgjidhen këta delegatë, në të cilat firmoset edhe një proçesverbal i posaçëm.
    b) mandati pranohet me shkrim nga ana e delegatit respektiv ose nga firmosja pa rezervë e proçesverbalit të mësipërm duke dhënë në këtë mënyrë miratimin e heshtur.

Neni 19

  • Asambleja e Përgjithshme ka këto kompetenca :
  1. Ndryshimin e aktit themelues dhe statutit të Shoqatës;
  2. Përcaktimin e strategjisë dhe objektivave të përgjithshëm të Shoqatës;
  3. Mbikqyr dhe kontrollon realizimin e obejktivave, synimeve dhe qëllimeve të Shoqatës;
  4. Shqyrton çështjet ekonomike, financiare, dhe të administrimit të Shoqatës;
  5. Miraton aktet në lidhje me me buxhetin e Shoqatës si dhe në lidhje me shpenzimet për vitin e qrdhshëm;  
  6. Zgjedhja dhe revokimi i anëtarëve të Këshillit Drejtues si dhe përcaktimi i funksioneve të tyre.
  7. Miratimi i programeve të aktivitetit të Shoqatës.
  8. Përcaktimi i kritereve si dhe i shumës së  kuatizacioneve, periodiciteti i tyre si dhe mënyra e pagesës së tyre.
  9. Miratimi i rregullores për funksionim e Shoqatës duke përfshirë kriteret e pranimit të anëtarëve të Shoqatës me propozimin e Këshillit Drejtues.
  10. Miratimi i titujve të nderit me propozim të Këshillit Drejtues.
  11. Miratimi i pjesëmarrjes së Shoqatës në organizma kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.
  12. Miratimi i shpërbërjes dhe likujdimi i Shoqatës si dhe përcaktimi i destinacionit të pasurisë së mbetur pas likujdimit.
  13. Ushtrimi i çdo lloj të drejte tjetër të nevojshme në raport me statutin dhe ligjet në fuqi.

Neni 20

  • Vendimet merren me shumicë absolute të pjesëmarrësve; Në rastet e parashikuara në nenin 19 pika a) dhe l) vendimet merren me 2/3 e pjesëmarrësve.

Neni 21

  • 21.1 Krahas Asamblesë së Përgjithshme në rastet kur vendoset mund të ngrihet një Komitet Nderi, anëtarët e të cilit janë anetarët me tituj nderi. Ngritja e këtij Komiteti ka si synim rritjen e prestigjit të Shoqatës në publik. Te ky Komitet mund të marrin pjesë me cilësinë e të ftuarit personalitete të shquara të jetës publike brenda ose jashtë vendit.
  • 21.2 Anëtarët e Komitetit të Nderit nuk mund të jenë anëtarë në Këshillin Drejtues.
  • 21.3 Rregulla të tjera përsa i përket numrit, rolit, strukturës dhe funksionit percaktohen nga Komiteti i Nderit dhe konfirmohen në Asamblenë e Përgjithshme.

Neni 22

  • 22.1 Këshilli Drejtues i cili më poshtë do të përmendet si Këshill, siguron realizimin e vendimeve të Asamblesë së Përgjithshme dhe funksionon në bazë të rregullave të parashikuara në statut.
  • 22.2 Këshilli përbëhet nga 5 anëtarë, persona fizikë të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme.
  • 22.3 Kohëzgjatja e mandatit të Këshillit është e njëjtë me atë të Asamblesë së Përgjithshme.
  • 22.4 Këshilli zgjedh nga radhët e anëtarëve të tij personat që do të ushtrojnë funksionet e Kryetarit, të Nënkryetarit si dhe Sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të cilët së bashku me anëtarët e tjerë të këtij Këshilli do të zgjidhin problemet e aktivitetit të përditshëm të Shoqatës, duke formuar një organ ekzekutiv të Këshillit. Gjithashtu Këshilli mund të ngarkojë me detyrë ekzekutive edhe persona të tjerë të cilët nuk janë anetarë të Shoqatës për të ushtruar kompetencat e nenit 23 pika b dhe n.
  • 22.5 Vendimi i Asamblesë së Përgjithshme për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit është i vlefshëm në rast se ekziston edhe pranimi me shkrim i këtij personi.
  • 22.6 Këshilli quhet i mbledhur kur janë të pranishëm të paktën 3  anëtarë të tij, me përjashtim të mbledhjes në të cilën zgjidhen drejtuesit e Këshillit. Në këtë rast duhet të jenë të pranishëm të gjithë anëtarët e tij.
  • 22.7 Këshilli mblidhet zakonisht një herë në gjashtë muaj dhe në raste të tjera të nevojshme.
  • 22.8 Këshilli thërritet me shkrim zakonisht 5 ditë përpara nga Kryetari i Këshillit, Nënkryetari ose nga një person tjetër i autorizuar prej Kryetarit. Ftesa duhet të përmbajë datën, orën, vendin e takimit si dhe rendin e ditës. Në rast se pas thirrjes nuk përmbushet numri i përcaktuar në statut për anëtarët e Këshillit atëherë brenda 48 orëve bëhet një thirrje tjetër. Me thirrjen e dytë Këshilli realizon mbledhjen me numrin e anëtarëve të mbledhur por jo në rast se janë më pak se tre, nga të cilët njëri është kryetari ose njëri prej nënkryetarëve.

Neni 23

  • Këshilli gjatë ushtrimit të kompetencave të tij ka këto detyra kryesore :
  1. Prezanton për miratim në Asamblenë e Përgjithshme raportin e veprimtarisë, të ardhurat si dhe shpenzimet, gjendjen financiare vjetore, si dhe projekt buxhetin për programet e Shoqatës.
  2. Përpilon akte juridike në emër të Shoqatës.
  3. Aprovon organograma, politika personeli, skema organizimi, pagesat si dhe masën e shpërblimit për shërbimet e kryera nga personeli i Shoqatës.
  4. Zgjedh ose shkarkon me votim Kryetarin, Nënkryetarin si dhe Sekretarin e Përgjithshëm. Numri i mjaftueshëm i votave për t’u shpallur fitues ose për t’u shkarkuar nga këto poste drejtuese është 1/2 +1 e pjesëmarrësve në votim. Propozimi për zgjedhjen ose shkarkimin e Kryetarit të Shoqatës bëhet nga të paktën 3 e anëtarë të Këshillit. Propozimi për zgjedhjen ose shkarkimin e Nënkryetarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm bëhet nga Kryetari ose nga të paktën 3 anëtarë të Këshillit.
  5. Konfirmon kërkesat për të qënë anëtar ose përkrahës i Shoqatës dhe respektivisht propozon akordimin e titujve të nderit.
  6. Propozon krijimin e Komitetit të Nderit i quajtur në vazhdimësi Komitet.
  7. Propozon dhe miraton, sipas rastit, projekte, programe, investime dhe informon Asamblenë e Përgjithshme rreth tyre.
  8. Aprovon rregullat e brendshme të funksionimit të Shoqatës.
  9. Drejton dhe verifikon aktivitetin e degëve.
  10. Aprovon zhvillimin e aktiviteteve dhe krijimin e grupeve të punës duke realizuar qëllimet e Shoqatës.
  11. Aprovon pjesëmarrjen e Shoqatës në organizma kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.
  12. Aprovon raportet e paraqitura nga Kryetari i Këshillit ose Nënkryetari.
  13. Aprovon ndryshimin e selisë së Shoqatës.
  14. Realizon dhe atribute të tjera, të nevojshme për realizim e objektivave të Shoqatës në përputhje me qëllimet e tij.
  15. Aprovon buxhetin e të ardhurave, shpenzimeve si dhe situatës financiare të Shoqatës në bazë të propozimit të Këshillit Drejtues.

Neni 24

  • Shoqata përfaqësohet në marrëdhëniet me të tretët nga Kryetari, Sekretari i Përgjithshëm ose nga një anëtar tjetër i Këshillit i autorizuar nga Kryetari.

Neni 25

  • 25.1 Këshilli vendos vetëm në kuadrin e mbledhjes së tij sipas statutit si dhe në situatën e parashikuar në pikën 3 të këtij neni.
  • 25.2 Këshilli merr vendim me votat e shumicës së pjesëmarrësve. Në rast se kemi barazi votash vendos vota e Kryetarit.
  • 25.3 Këshilli vendos edhe pa u mbledhur në mbledhje, me kusht që Kryetari i Këshillit të njoftojë me shkrim ose me një mjet tjetër, me anë të të cilit sigurohet, marrja në dijeni e të gjithë anëtarëve të Këshillit, shprehja e votës dhe të preçizojnë datën deri kur kjo votë duhet të komunikohet me shkrim. Vendimi i marrë në këtë mënyrë është i vlefshëm nëse është miratuar me shumicën e votave të Këshillit, në rast barazimi vota e Kryetarit është vendimtare.
  • 25.4 Këshilli mund të vendosi për kategoritë e problemeve që mund të zgjidhen me anë të proçedurës së parashikuar nga pika 3 e këtij neni.
  • 25.5 Në rast se ushtrimi i funksionit të Kryetarit është i pamundur Nënkryetari merr funksionet e Kryetarit të përkohshëm por jo për më tepër se katër muaj.

Neni 26

  • Këshilli mund të ftojë në mbledhjet e tij përfaqësues të organizatave të tjera brenda dhe jashtë vendit, por të cilët nuk kanë të drejtë vote.

Neni 27

  • 27.1 Antarësia në Këshill mund të humbasë në situatat e parashikuara nga neni 12 pika a, b dhe c.
  • 27.2 Në rast se humbet cilësia e anëtarit të Këshillit bëhen zgjedhje të reja në bazë të statutit për zëvëndësimin e tij. 

Neni 28

  • Mbledhja e Asamblesë së degës, zgjedhja, shkarkimi dhe funksionimi i Këshillit dhe organeve të tjera drejtuese të degës bëhen sipas proçedurave dhe modelit që aplikohet për organet qëndrore të Shoqatës.

 

VI. te ardhurat dhe pasuria

Neni 29

  • 29.1 Të ardhurat e Shoqatës vijnë nga :
    a) kuotat e anëtarëve,
    b) përqindjet e interesave nga lekët e depozituara në llogarinë e saj,
    c) burime të përfituara nga buxheti i shtetit ose nga buxheti i pushtetit vendor,
    d) dhuratat, sponsorizimet dhe donacionet,
    e) kontributet e degëve në pasurinë e Shoqatës,
    f) kontribute të tjera të ligjshme.
  • 29.2 Të gjitha të ardhurat duhet të përdoren për qëllimet e Shoqatës.

Neni 30

  • 30.1 Në datën e themelimit të Shoqatës pasuria fillestare e Shoqatës përbëhet nga shuma në lekë e depozituar nga themeluesit.
  • 30.2 Pasuria fillestare plotësohet me dhurata, sponsorizime, kontribute si dhe çdo kategori tjetër burimi pasuror i parashikuar nga kuadri ligjor.
  • 30.3 Operacionet financiare të Shoqatës zhvillohen pasi janë firmosur nga Kryetari dhe Sekretari i Përgjithshem.

 

VII. Shperberja dhe likujdimi I SHOQATES

Neni 31

  • 31.1 Shoqata shpërbëhet sipas ligjit.
  • 31.2 Në rastin e shpërbërjes, likujdimi i pasurisë bëhet në përputhje me ligjin.
  • 31.3 Në rastin e likujdimit pasuria e mbetur pas tij, mund të ndahet ose t’i transferohet personave të tjerë juridikë me qëllime të njëjta.

Neni 32

  • 32.1 Në rast se pasuria e mbetur pas likujdimit nuk shpërndahet atëherë, likujdatorët e emëruar brenda kuadrit ligjor, duhet të përcaktojnë personin juridik të cilit do t’i transferohet pasuria e mbetur.
  • 32.2 Pasuria e mbetur pas likujdimit mund t’i transferohet :
    a) Personave juridikë me të cilët Shoqata ka zhvilluar aktivitete të përbashkëta.
    b) OJF-ve të tjera.

 

VIII. Dispozita te fundit

Neni 33

  • Plotësimi dhe ndryshimi i statutit të Shoqatës bëhet me shkrim.

Neni 34

  • Për gjithçka që nuk është parashikuar shprehimisht në këtë Statut do të zbatohen dispozitat ligjore përkatëse që janë në fuqi.

Neni 35

  • Anëtarët e parë të Këshillit Drejtues të emëruar nga Mbledhja e Themeluese janë :
    Saimir Vishaj  Kryetar i Këshillit Drejtues
    Sokol Mëngjesi   Anëtar i Këshillit Drejtues (Sekretar i Përgjithshëm)
    Ilir Shuraja   Nënkryetar i Këshillit Drejtues
    Anxhelina Zhidro    Anëtare e Këshillit Drejtues
    Erjon Xhepa    Anëtar i Këshillit Drejtues

 

Ky statut u hartua ne 4 (katër) kopje në gjuhën shqipe dhe pasi u lexua me zë të lartë, u gjet ne përputhje të plotë me vullnetin e lirë të anëtarëve themelues, të cilët e nënshkruajnë atë pa rezerva.

Shkarkoni vendimin e gjykates